Eurostat: Shqiptarët rritën të ardhurat në 2025, por fuqia blerëse mbetet më e ulëta në Europë
Të ardhurat mesatare të disponueshme për frymë në Shqipëri u rritën me gati 20 për qind në vitin 2025, duke arritur në 6,731 euro.

Megjithatë, sipas Eurostat, fuqia blerëse e shqiptarëve mbetet më e ulëta në Europë, ndërsa hendeku me vendet e rajonit është thelluar.
Ndonëse shqiptarët kishin mesatarisht më shumë të ardhura në vitin 2025, fuqia e tyre blerëse u përkeqësua në krahasim me vendet fqinje, pasi me këto para mund të blinin gjithnjë e më pak mallra dhe shërbime sesa banorët e rajonit.
Sipas të dhënave që Eurostat ka përditësuar për Shqipërinë për vitin 2025, të ardhurat mesatare të disponueshme për frymë ishin 6,731 euro, ose gati 1,100 euro më shumë se një vit më parë, me një rritje prej gati 20 për qind.
Të ardhurat e disponueshme matin sa para u mbeten familjeve pas taksave dhe kontributeve, duke përfshirë përfitimet sociale. Ky tregues jep një pamje më të drejtpërdrejtë të kushteve të jetesës sesa PBB-ja për frymë, e cila mat sa prodhon ekonomia për banor.
Megjithatë, të matura sipas fuqisë blerëse, të ardhurat kanë shënuar një rritje më të ngadaltë. Sipas Eurostat, të ardhurat e disponueshme për frymë arritën në 9,592 PPS, me një rritje prej 12.5 për qind.
Ky tregues merr parasysh dallimet e çmimeve mes vendeve dhe e bën të krahasueshme sasinë e mallrave dhe shërbimeve që familjet mund të blejnë me të ardhurat e tyre, sipas metodologjisë së Eurostat.
Krahasimi me Serbinë e bën më të dukshëm hendekun. Në vitin 2025, për çdo 100 euro të ardhura të disponueshme në Serbi, në Shqipëri kishte 76 euro, nga 82 euro një vit më parë.
Kur llogariten edhe çmimet, për çdo 100 njësi të fuqisë blerëse në Serbi, Shqipëria kishte vetëm 73, nga 84 një vit më parë. Kështu, hendeku në fuqinë blerëse u thellua nga 16 për qind në 27 për qind.
Shqipëria e fundit në Europë për fuqinë blerëse të të ardhurave
Në vitin 2025, të ardhurat e disponueshme në Shqipëri ishin sa 26 për qind e mesatares së BE-së në euro dhe sa 37.5 për qind e saj pasi merren parasysh dallimet në çmime. Sipas kësaj matjeje, Shqipëria renditej e fundit ndër vendet europiane për të cilat disponohen të dhëna.
Në Serbi, të ardhurat arritën në 34.1 për qind të mesatares së BE-së në euro dhe në 51.3 për qind sipas fuqisë blerëse në vitin 2025.
Për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të dhënat më të fundit janë të vitit 2024. Krahasuar me mesataren e BE-së të atij viti, të ardhurat në Malin e Zi ishin në 29.4 për qind në euro dhe 46.7 për qind sipas fuqisë blerëse, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ishin përkatësisht në 20.8 për qind dhe 40.9 për qind.
Për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën mungojnë të dhënat e krahasueshme për të dyja vitet.
Në vitin 2024, viti më i fundit me të dhëna të krahasueshme për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, shqiptarët kishin 11 për qind më shumë të ardhura në euro se banorët e Maqedonisë së Veriut, por me to mund të blinin 13 për qind më pak mallra dhe shërbime.
Krahasuar me Malin e Zi, fuqia blerëse e të ardhurave në Shqipëri ishte 24 për qind më e ulët.
Krahasimi me Maqedoninë e Veriut përsëritet edhe te PBB-ja për frymë. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të analizuara më herët nga Monitor, Shqipëria e kaloi Maqedoninë e Veriut për PBB-në për frymë në dollarë në vitin 2025, ndërsa Maqedonia e Veriut vijoi të kryesonte kur i njëjti tregues u mat sipas fuqisë blerëse.
Ushqimet kushtojnë më shumë se në BE dhe marrin 40 për qind të buxhetit familjar
Çmimet e ushqimeve, të cilat për herë të parë në vitin 2025 u bënë më të larta se mesatarja e BE-së, shpjegojnë një pjesë të hendekut në fuqinë blerëse mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit.
Në vitin 2025, një shportë ushqimore që kushtonte mesatarisht 100 euro në BE, kushtonte 102.9 euro në Shqipëri, 96.6 euro në Serbi, 84.6 euro si në Malin e Zi, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë, dhe 74.3 euro në Maqedoninë e Veriut, sipas Eurostat.
Shqipëria kishte çmimet më të larta të ushqimeve ndër vendet e Ballkanit Perëndimor për të cilat disponohen të dhëna. Kosova nuk përfshihet në këtë krahasim.
Çmimet e larta rëndojnë pikërisht te zëri ku familjet shqiptare shpenzojnë më shumë. Në vitin 2025, ushqimet dhe pijet joalkoolike zunë 39.8 për qind të shpenzimeve familjare për konsum në Shqipëri, sipas INSTAT-it, kundrejt 13.2 për qind në BE, sipas Eurostat.
Kështu, ushqimet zënë rreth tri herë më shumë peshë në buxhetin familjar në Shqipëri, ku çmimet e tyre janë rreth 3 për qind mbi mesataren e BE-së, ndërsa të ardhurat mesatare të disponueshme në euro janë vetëm sa 26 për qind e nivelit të BE-së.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)